Antonio Conte nuk ka rivalë përsa i përket garës së trajnerëve më të paguar në Serie A. Për të rikthyer në majat e futbollit italian zikaltër kanë vendosur që top-playerin e vërtetë ta kenë në stol dhe jo në fushë. Conte para disa muajsh nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me klubin milanez me një pagë të frikshme prej 11 milionë eurosh në sezon me familjen Zhang që vendosi të hapte thesin për të bindur ish-trajnerin e Chelsea-t të transferohej në Milano. Aktualisht Conte përfiton më shumë se sa ka marrë Jose Mourinho në sezonin e tij të parë te zikaltrit.
Special One në sezonin 2008-2009 derdhi në arkat e tij vetëm 9 milionë euro ndërsa në sezonin e dytë për shkak të një sërë bonusesh pasi arriti të fitonte tripletën paga e tij preku kuotën e 11 milionë eurove aq sa Conte.
Në podiumin e trajnerëve më të paguar të Serie A, bashkë me Conten janë edhe Maurizio Sarri e Carlo Ancelotti. Tekniku i Juventusit përfiton 5,5 milionë euro plus bonuset, ndërsa Ancelotti vetëm 5 milionë euro.
Conte merr dyfishin e Sarrit dhe më shumë se dyfishin e Ancelottit, ndërkohë që diferenca më trajnerët e tjerë është e frikshme pasi Giampaolo i Milanit merr vetëm 2 milionë euro dhe në hierarkinë e pagave qëndron pas edhe të tillë si Fonseca, Mihajlovic e Gasperini me këtë të fundit që ka rinovuar para pak kohësh me Atalantën. I fundit në listë është kroati Igor Tudor i Udineses me vetëm 500 mijë euro në sezon.