Aktualitet Trajtimi i ujërave të ndotura, Balluku në Radhimë: Asnjë tolerim për këdo...

Trajtimi i ujërave të ndotura, Balluku në Radhimë: Asnjë tolerim për këdo që abuzon

Taskforca për zbatimin e aktit normativ për trajtimin e ujërave të ndotura nga subjektet që operojnë pranë ujërave larës, vijon me kontrollet në të gjithë vendin, duke pasur në fokus të veçantë zonën turistike bregdetare, ku është përqendruar edhe numri më i madh i njësive të shërbimit.

Për të rritur transparencën e të gjithë këtij procesi inspektorët janë pajisur edhe me kamera trupi, ndërkohë që vetëm brenda një jave janë kontrolluar më shumë se 400 subjekte.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e AKUK, Klevis Jahaj dhe kryebashkiakun e Vlorës, Ermal Dredha ishin në zonën e Radhimës, ku tashmë subjektet kanë nisur me vendosjen e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura.

Drejtori Jahaj bëri të ditur se objekt i kontrolleve nuk janë vetëm subjektet pranë ujërave larës të cilat janë në funksion dhe operojnë në sektorin e shërbimeve, por edhe objektet që janë duke u ndërtuar duhet të kenë pjesë të projektit edhe zgjidhjen për trajtimin e ujërave të ndotura.

“Pjesë e aktit normativ nuk janë vetëm njësitë e shërbimit të cilat janë në proces pune dhe shërbimi, por të gjitha objektet që janë në proces ndërtimi ose do të vazhdojnë të pajisjen me leje të tjera ndërtimi në vazhdimësi duan pa diskutim të kenë pjesë të zgjidhjes dhe të infrastrukturës të tyre dhe zgjidhjet individuale të trajtimit të ujërave të ndotura”, tha Jahaj.

Radhima dhe Dhërmiu janë dy zonat ku procesi ka avancuar me ritme shumë të mira, dhe tashmë një pjesë e madhe e subjekteve kanë vendosur impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura. Në terren për monitorimin e situatës janë 5 ekipe të Taskforcës.

“Bazuar në aktin normativ ne kemi nisur prej kohësh punën për të vendosur një rregull i cili ka të bëjë me të gjithë industrinë e turizmit, jo vetëm atë të hotelerisë, por edhe të restoranteve dhe kudo që ka klientë me një numër të shtuar. Përmes 5 grupeve që ne kemi në terren me Taskforcën tonë, jemi duke kryer kontrolle të vazhdueshme për të implementuar kërkesat e këtij akti normativ. Akti normativ numër 8 parashikon që të gjitha bizneset praktikisht të pajisen me pastruesin e ujërave të ndotura dhe më pas ti derdhin ato në ujërat larës”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë risolli në vëmendje edhe një herë se nuk do të ketë asnjë tolerim për këdo që abuzon, pasi kjo nismë synon rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj të gjithë pushuesve, duke nxitur më tej zhvillimin e turizmit.

“Duhet ruajtur deti, është aseti më i madh. Patjetër është një kërkesë e qeverisë shqiptare, por bazuar mbi një sërë faktesh. Ujërat larës për ne janë të rëndësishme, pasi janë produkti kryesor që ne kemi mbi të cilin kemi bazuar turizmin, patjetër janë malet, është agroturizmi, patjetër është kuzhina e jashtëzakonshme, kulinaria shqiptare, por deti është aseti më i madh që ne kemi”, nënvizoi Balluku.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Dredha tha se në zonën e Vlorës ky akt normativ ka gjetur mirëkuptimin e subjekteve, si një hap për rritjen e mëtejshme të cilësisë së turizmit.