Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Stamboul” ka botuar, të mërkurën e 29 dhjetorit 1926, në ballinë, deklaratat e Rauf Bej Ficos, asokohe ambasador i Shqipërisë në Turqi, mbi traktatin italo-shqiptar, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar:
Traktati italo-shqiptar
Deklarata të ambasadorit të Shqipërisë
Rauf Beu, ministër i Shqipërisë në qeverinë turke dhe bullgare, mbërriti dje në mbrëmje nëpërmjet “Le Conventionnel” dhe u prit në stacionin “Sirkédji” nga stafi i legatës.
I pyetur në lidhje me marrëveshjen italo-shqiptare, përfaqësuesi i qeverisë së Tiranës deklaroi:
“Shqipëria është po aq e lirë dhe e pavarur sa çdo shtet tjetër. Prandaj, ajo mund të lidhë traktate me këtë apo atë fuqi. Pakti i nënshkruar me Italinë hyn në kornizat e hartuara nga Lidhja e Kombeve. Ky akt diplomatik nuk përmban, siç është pretenduar, klauzola sekrete. Kjo marrëveshje thuhet se ka krijuar një përshtypje të keqe në Jugosllavi. Megjithatë, ne jemi të gatshëm të lidhim një marrëveshje të ngjashme me çdo shtet tjetër.
Ju më thoni se disa njerëz menduan se shihnin në këtë marrëveshje një akt që e vendos Shqipërinë nën mbrojtjen e Italisë dhe si një prelud për depërtimin italian në Ballkan. Këto janë spekulime që nuk mund të jenë më të gabuara. Populli shqiptar nuk ka nevojë për mbrojtje të jashtme, as nuk është i gatshëm të lejojë që territori i tij të cenohet nga askush.
Këtë e them publikisht dhe besoj se, duke e bërë këtë, përmbush një detyrë patriotike.
Sa i përket tensionit që do të lindte mes Jugosllavisë dhe Italisë si rezultat i këtij traktati, kjo nuk na intereson.”
Më pas, Rauf Beu konfirmoi ekzistencën e një plani udhëtimi për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ahmet Zogu, në Romë dhe Paris, por ai shtoi se ende asgjë nuk ishte vendosur.
Diplomati shqiptar do të niset për në Angora pas një ose dy ditëve. Para se të kthehej këtu, ai kaloi rreth dhjetë ditë në Sofje, ku edhe përfaqëson vendin e tij.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania