Transferimi i Steven Bergwijn tek Ali Ittihad në Arabinë Saudite, ka krijuar polemika të shumta në Holandë.
Trajneri i “tulipanëve”, Roland Koeman, i mbylli derën sulmuesit, pasi sipas tij zgjodhi paratë para futbollit.
Sipas Koeman, në këtë moshë, ambicia më e rëndësishme duhet të jetë ajo sportive dhe jo ajo financiare.
“Steven Bergwijn shkoi në Arabinë Saudite në moshën 26-vjeçare. Është e qartë se kjo nuk ka të bëjë fare me ambiciet sportive. Kapitulli i tij me Kombëtaren holandeze është mbyllur. Ai ndoshta e dinte se çfarë do të kisha thënë për këtë. Nëse je 26 vjeç, ambicia më e rëndësishme duhet të jetë ajo sportive, jo ajo financiare.
Mund të kishte qëndruar tek Ajax. Jam shumë i sigurt se Ajax paguan mirë gjithashtu. Në moshën e tij, unë nuk do ta bëja. Mos e merrni atë vendim”, tha trajneri i Holandës.
Nuk ka munguar edhe një reagim i Bergwijn, i cili për “De Telegraaf”, deklaroi se trajneri duhet të kishte folur me të, për të dëgjuar anën tjetër të historisë. Ndër të tjera, ai tha se nuk shkon më në kombëtare për kohën që Koeman do të jetë trajner aty.
“Unë as nuk dua të luaj më për këtë trajner. Nuk do të luaj për dikë që flet ashtu për një lojtar në media. Ai mund të më telefononte, të dëgjonte anën time të historisë. Si mund të thotë gjëra të tilla pa folur me mua? Nëse do të ishte një trajner i përkushtuar i kombëtares, do të më kishte telefonuar i pari. Më duhej ta dëgjoja në TV. Kam kaluar edhe shumë momente të mira me trajnerin, por jam i zhgënjyer me të. Gjithmonë e kam konsideruar nder të luaj për kombëtaren holandeze. Por me këtë trajner, nuk dua ta bëj më.
Kalimi tek Al Ittihad, është një mundësi e artë nga pikëpamja sportive dhe financiare. Është një rrogë nuk mund ta kisha ëndërruar kurrë të fitoja si një fëmijë i vogël”, deklaroi Bergwijn.
Bergwijn kompletoi transferimin tek Al Ittihad në merkaton e verës, duke u larguar nga Ajax.
Në arkat e klubit u derdhën 21 milionë euro, ndërsa lojtari do të përfitojë një pagë të majme, siç ndodh me lojtarët që transferohen aty nga Europa.