Erald Mema 39 vjeç, i cili është i dënuar në Britani të Madhe me 25 vite burgim për trafik kokaine në sasi të mëdha në shtetin ishullor, është transferuar në Shqipëri për të vuajtur dënimin.
Kështu shkruan media britanike “Telegraph”, që sqaron se Erald Mema u transferua për shkak të marrëveshjes Shqipëri-Britani e Madhe për të dënuarit shqiptarë në Angli.
39-vjeçari shqiptar konsiderohet si “një nga 40 kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë të dënuar në Britani”.
Por për shkak të legjislacionit shqiptar, “Telegraph” ngre shqetësimin se 39-vjeçari mund të lirohet shumë më herët në Shqipëri dhe mund të mos vuajë as gjysmën e dënimit që ka marrë në Britani. Kjo për shkak se ligji shqiptar parashikon deri në 15 vite burg maksimalisht për trafikantët e drogës si në rastin e Erald Memës.
Transferimi i tij për të kryer dënimin në vendin tonë është pjesë e marrëveshjes Shqipëri-Britani për rreth 200 të dënuar shqiptarë në Angli që ta vuajnë dënimin në vendin tonë.
Kjo bëhet për të trajtuar mbipopullimin e burgjeve në Angli. Dhe për këtë Britania e Madhe i jep Shqipërisë 5 milionë Euro që të investojë në sigurinë dhe kushtet e burgjeve, por dhe për të përballuar kostot e jetesës për çdo të dënuar.
Nëse Erald Mema përfiton nga lirimi me kusht në Shqipëri, atëherë do të vuajë 10 vite dënim. Ai u dënua nga Gjykata e Oksfordit në vitin 2018 dhe u shpall fajtor për trafikimin në Britani të sasive të mëdha të kokainës me vlerë miliona Paund, dhe si kreu i organizatës kriminale.