Aktualitet Transport kokaine me autobus për në bregdetin e jugut, arrestohet 35-vjeçari në...

Transport kokaine me autobus për në bregdetin e jugut, arrestohet 35-vjeçari në Tiranë

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Terminal” është arrestuar 35-vjeçari me Adrian R. banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Arben Broci”, 35-vjeçarin, të cilit gjatë kontrollit fizik, i gjetën rreth 320 gramë kokainë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ai, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, furnizonte disa shtetas të cilët dyshohet se e ndanin dhe e shitnin lëndën narkotike, në doza.

Antidroga e Tiranës prej disa kohësh e kishte në ndjekje Adrian R., i cili rezulton i dënuar edhe më herët për shpërndarje droge. Ai është kapur sapo ka mbërritur afër terminalit të autobusëve me një makinë tip “Smart” me xhama të zinj.

Hetuesit dyshojnë se 35-vjeçari do e transportonte drogën me linjë autobusi në zonën e jugut në bregdet.

Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe një celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia po punon për kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.