Transportimi i rinocerontëve me kokë poshtë nëpërmjet ajrit është element thelbësor i ruajtjes së tyre, sipas një studimi të ri.
Rinoceronti i zi është në rrezik të madh, për shkak të kërkesës së konsiderueshme për bririn e tij. Aktivistët janë përpjekur të gjejnë mënyrën për t’i mbrojtur më mirë duke i zhvendosur nga zonat e shkreta në zona të sigurta me helikopter.
Duke qenë se transportimi i krijesave të mëdha mund të jetë manovër e ndërlikuar, rinocerontëve duhet t’u injektohet një qetësues. Kjo i lejon ato të ngrihen në ajër me kokë poshtë dhe me këmbët lidhur në një helikopter, gjë që kursen kohë dhe mendohet të jetë më e mirë për kafshët, sipas WWF (World Wide Fund for Nature).
Ndërsa kjo metodë transporti është përdorur për 10 vjet tanimë, ka pasur debate nëse qetësuesit mund të jenë të rrezikshëm kur kafshët varen me kokë poshtë dhe nuk janë të shtrirë siç duhet të ishin normalisht.
Një studim i kohëve të fundit ka zbuluar se rinocerontët “kënaqen” kur janë në qiell, një hap pozitiv ky edhe për ruajtjen e specieve. Rezultatet e studimit të Cornell University në New York, SHBA u botuan në Journal of Wildlife Diseases.
Ekipi shkoi në Parkun Kombëtar Waterburg në Namibi për të transportuar me kokë poshtë 12 rinocerontë nga mjediset e shkreta ku ndodheshin për t’i çuar në habitate të përshtatshme.
Ndërsa ky zbulim mund të tingëllojë qesharak, është “informacion thelbësor” për aktivistët që punojnë për të shpëtuar këto krijesa në zhdukje.