Bota Trashëgimtari i “fronit” tradhton të atin dhe kartelin e drogës në gjyqin...

Trashëgimtari i “fronit” tradhton të atin dhe kartelin e drogës në gjyqin e El Chapos

 “Çfarë pune bën babai juaj?

– Babai im është kreu i Kartelit të Sinaloas!”

Përveç vetë krerëve të kartelit, ndoshta askush tjetër nuk di më shumë se sa Vicente Zambada Niebla mbi Kartelin e Sinaloas.

Si djali i Ismael Zambada Garcias, një prej liderëve të kartelit, Vicente shihej nga të gjithë si trashëgimtari i “fronit”.

Por të enjten ai bëri një kthesë spektakolare dhe tradhtoi babain, duke “bombarduar” jurinë me fakte kundër tij ndërsa dëshmoi për më shumë se pesë orë në gjyqin e El Chapos në Nju Jork.

El Chapo

Pasi shkëmbeu shikimin me Joaquin Guzmanin, Vicente tregoi se si babai i tij dhe El Chapo kishin trafikuar tonelata drogë në Shtetet e Bashkuara nga Meksika, skemat e pastrimit të parave që përdorin, luftërat e përgjakshme që kanë zhvilluar, por u dha edhe një listë me persona që kanë korruptuar, përfshirë edhe një ushtarak të lartë që dikur ka qenë përgjegjës për sigurinë e ish-presidentit meksikan Vicente Fox.

Që prej nisjes së gjyqit në nëntor, 7 pjesëtarë të tjerë të kartelit kanë dëshmuar kundër bosit famëkeq por me siguri që Vicente Zambada është profili më i lartë që ka bërë këtë veprim.

Ismael Zambada Garcia, një prej krerëve të Kartelit të Sinaloas

Vicente tregoi se babai i tij – i cili vazhdon të jetë në listën e më të kërkuarve nga DEA – shpenzon deri në 1 milionë dollarë në muaj për ryshfete, 50 000 dollarë prej tyre si rrogë mujore për një zyrtar të besuar brenda departamentit meksikan të mbrojtjes.