Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se ngjarjet në Kazakistan nuk ishin përpjekja e parë apo e fundit për ndërhyrje të jashtme në punët e brendshme të shteteve dhe se “teknologjitë Maidan”, duke përfshirë mbështetjen e IT, janë përdorur gjatë trazirave.
Në një sesion të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurisë Kolektive të CSTO-së, të mbajtur në formën e një video-konference, Putin tha se ishin përdorur “grupe të organizuara mirë militantësh“, të cilët ai i përshkroi si “me sa duket të trajnuar në kampe terroriste jashtë vendit”.
“Sulmi i tyre ndaj Kazakistanit ishte në thelb një akt agresioni dhe ishte e nevojshme që të reagonim pa vonesë”, theksoi Putin, raporton agjencia ruse RIA Novosti.
Ai shtoi se ishte e qartë se trazirat në Kazakistan nuk ishin një veprim spontan për shkak të çmimeve të larta të karburantit.
“Kërcënimi për shtetësinë e Kazakistanit nuk është protesta spontane për çmimet e karburantit, por fakti që forcat destruktive të brendshme dhe të jashtme kanë përfituar nga situata”, tha Putin.
Ai theksoi se ngjarjet në Kazakistan nuk ishin përpjekja e parë apo e fundit për ndërhyrje të jashtme në punët e brendshme të shteteve të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), por se masat e marra nga kjo organizatë tregojnë se ajo nuk do të lejojë destabilizimin e situatën në shtetet anëtare.
Putin shtoi se forcat e CSTO-së do të jenë në Kazakistan, ndërsa presidenti i atij vendi konsideron se ka nevojë për këtë dhe se pas përfundimit të detyrave kontingjenti do të tërhiqet nga vendi.
Kreu i shtetit rus vuri në dukje se CSTO kishte treguar potencialin dhe aftësinë e saj për të vepruar shpejt.