Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në platformën “X”, komentoi ngjarjet e sotme në Parlament.
Ai i bëri thirrje shqiptarëve që me votë ta shkatërrojnë përfundimisht opozitën.
“Cilët ishin autorët e rikthimit kaq të shpejtë në identitet të opozitës sot në parlament?
Një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare; Një ish-zv.kryeministër i arratisur për t’i ikur drejtësisë; Një ish-kryeministër në arrest shtëpie me vendim të drejtësisë; Një ish-prokuror i përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për mosjustifikim pasurie; Një program në RAI3 që i shfaqi të lartpërmendurit si heronj pozitivë të një bashkëprodhimi italo-shqiptar, me baltë të eksportuar në Itali nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës.
Vesi del me shpirtin, por shpirtit të së keqes që po del me të çjerra nga jeta e këtij vendi pasi e persekutoi këtë vend qysh prej vitit 1912, kjo lojë balte e rradhës me emrin e Shqipërisë i duhet futur në llogaritë që do të bëhen në zgjedhjet e afërta.
Mos i falni më, duhen shkatërruar përfundimisht me votë! Shqipëria ka kry punë me ta dhe nuk ndalet dot më nga askush”, shkruan Rama në rrjetin social.