Aktualitet Tre operacione shpëtimi nga Adriatiku në Jon, anija me 27 turistë pëson...

Tre operacione shpëtimi nga Adriatiku në Jon, anija me 27 turistë pëson defekt në Karaburun

Sezoni veror ka parë policinë Kufitare në Vlorë e Durrës të angazhohet në disa operacione shpëtimi për individë që me mjetet e tyre lundruese kanë mbetur në det të hapur, duke rrezikuar të mbyten.

Tre operacione të tilla janë organizuar vetëm këtë të shtunë në zonën e Karaburunit, pranë “Shpellës së Piratëve” dhe po ashtu në plazhin e Spillesë.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë Kufitare në Vlorë dhe në Durrës iu shkojnë në ndihmë në 3 raste, disa shtetasve që rrezikuan të mbyteshin në det.

-Mesditën e sotme, një shtetase ka telefonuar për të kërkuar ndihmë, pasi anija turistike me të cilën ajo po lundronte bashkë me 27 shtetas të tjerë, kishte pësuar defekt, në zonën e Karaburunit.

Disa minuta më pas, 2 shtetas finlandez kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi në zonën e quajtur “Shpella e Piratëve”, kishin humbur kontrollin e mjetit lundrues kanoe, për shkak të dallgëve, dhe e kishin të pamundur kthimin në breg.

Menjëherë, dy skuadra të Policisë Kufitare Vlorë janë nisur bashkë me mjetet lundruese të Policisë Kufitare, në vendet ku kishin ngelur në det dy mjetet lundruese.

Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë Kufitare ka bërë të mundur lokalizimin dhe nxjerrjen në breg të mjetit lundrues anije turistike me 28 pasagjerë në bord dhe të mjetit lundrues kanoe me të cilin lundronin dy shtetasit finlandezë.

-Gjithashtu, në plazhin e Spillesë, shërbimet e Policisë Kufitare Durrës, bashkë me rojën e plazhit, kanë shpëtuar 2 shtetas që rrezikuan të mbyteshin ndërkohë që po laheshin në det. 44-vjeçari dhe djali i tij 9 vjeç u nxorën në breg dhe iu dha ndihma e parë.

Të gjithë shtetasit që rrezikuan që mbyteshin në det, aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar punonjësit e Policisë Kufitare, që i shkuan në ndihmë në kohë rekord.