Kryesore Tre orë mosbindje civile, PD mbyll protestën, Noka: E gjithë Shqipëria në...

Tre orë mosbindje civile, PD mbyll protestën, Noka: E gjithë Shqipëria në duart e opozitës, s’ka kthim pas!

Ashtu siç ishte paralajmëruar, pas tre orësh që bllokuan akset rrugore të vendit nga veriu në jug, në 6 nyje nevralgjike, Partia Demokratike e ka mbyllur protestën në orën 20:00 të mbrëmjes.

Drejtuesit më të lartë të PD, deputetët dhe mbështetësit e opozitës mbajtën të bllokuar mbikalimin te Kthesa e Kamzës, rrethrrotullimet e Shkozetit, Bradasheshit, Levanit dhe Rrogozhinës, si dhe kryqëzimi i Milotit.

Protesta u shoqërua me disa akte të mosbindjes civile, si djegie gomash e koshash të mbeturinave, por nuk pati përplasje me qytetarë të bllokuar në rrugë.

Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike tha një mesazh përmbyllës për protestën e sotme në afërsi të ish-sheshit “Shqiponja” në Tiranë.

Ai u shpreh i kënaqur me tubimin e sotëm, duke theksuar se opozita ia arriti qëllimit.

“Sot, ishte një ditë e jashtëzakonshme! E gjithë Shqipëria në duart e opozitës, dua të falenderoj të gjithë të rinjtë e të rejat, qytetarët që iu bindën thirrjes në këtë hap të mosbindjes civile. Dua të falenderoj po ashtu qytetarët shqiptarë në përgjithësi, që shmangën përplasjen në këtë ditë dhe iu bindën thirrjes së opozitës me heshtjen e tyre, duke qëndruar në shtëpitë e tyre. Ditë e zezë për narko-regjimin dhe bandat e pushtetit. Të tmerruar kanë sjellë narko-policinë në çdo kryqëzim. Mosbindja civile ka nisur të japë frytet e veta, do i sjellë zgjidhje Shqipërisë e shqiptarëve. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje!”

Cili do të jetë aksioni i radhës?

Noka u shpreh se Partia Demokratike do njoftojë për çdo lëvizje në ditët vijuese.

“E shmangëm sot, por nuk e shmangim gjithmonë! (referuar zhvendosjes së protestës drejt Surrelit ku banon kryeministri Edi Rama) Do ju njoftojmë për hapat e radhës, për një gjë të jeni të sigurt që kthim pas nuk ka!”, përfundoi ai.