Projektligji për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale u votua mëngjesin e të premtes nga 69 deputetë të mazhorancës, 23 kundër të PD-së dhe 3 abstenime.
Tre votat abstenuese u përkisnin tre deputetëve senatorë të PS-së Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe, një qëndrim që ata e kishin reflektuar edhe gjatë votimit paraprak të draftit në komisionet parlamentare.
Xhafaj tha nga foltorja e Kuvendit se ky biznes vret. Dhe jo pa qëllim ai kujtoi ndër radhë se lufta me e madhe ndaj kanabisit ka qene në kohën kur ai ishte ministër i Brendshëm.
“Që në krye të fjalës time, do ta shpreh qartë, nuk do të votoj pro projektligjit për legalizimin e kanabisit mjekësor. Arsyet të shumta nuk më lejojnë që të jem pro këtij projekti. As e kam parë dhe as më ka parë, dhe e kam luftuar si pakkush dhe më kanë luftuar si pak të tjerë. Ky projektligj më solli shumë gjëra të punës time. Mjaftonin sytë e kujto që donte të shihte. Misioni im ishte që të luftonim kanabisin. Në këto 25 vite, dy vitet që isha ministër 2017-2018 janë vitet që kanë rezultatin më të ulët historik të kultivimit të kanabisit. Pothuajse zero kultivim kanabisi i krahasuar me vitet e mëparshme. Po pse ndodhi dy vite rresh ka arsye të shumta.
E solla këtë shembull për të treguar një nga arsyet se pse sjellja ndaj këtij pr.ligji më bën të jem reflektues. Ju e përligjet politikisht Lazaratin. Historia është e errët dhe për ne socialistët. Ne kemi luftuar me kanabisin, fort gjithë këto vite si mazhorancë. Kanabisi nuk është i legalizuar, as si kultivim dhe as si përdorim. Ai është miku i të varfërve, dhe miku i të rinjve. A kemi ne sot një analizë të plotë se çfarë ka ndodhur me kanabisin?! Nuk kemi një analizë gjithëpërfshirëse. A është gati shoqëria shqiptare për këtë projektligj me rreziqe të mëdha sociale? Mendoj se kjo është qasje e gabuar. Ky është një biznes që vret. Po ashtu vret besimin e njerëzve tek puna dhe njerëzit e punës, Vret përpjekjet tona, të politikës dhe të atyre që punojnë për të ndërtuar një imazh tjetër për Shqipërinë. Mendoj se është një hap i parakohshëm për Shqipërinë”, tha Xhafaj.
Qeveria ka deklaruar se me projektligjin për kanabisin ajo synon rregullimin dhe mbikëqyrjen e kultivimit, përpunimit, qarkullimit, si dhe eksportimin e kësaj bime për qëllime mjekësore dhe industriale.