Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse hyn në një restorant dhe largohesh pa lënë bakshish, ka shumë gjasa që vetë kamerieri të përballet me ty dhe të kërkojë shpjegime pse nuk le. Edhe pse në Shqipëri kjo nuk ndodh, vetë klientët lënë shuma të vogla në shenjë mirënjohjeje për shërbimin që marrin në restorant.
Por, ka disa shtete ku jo vetëm nuk është traditë lënia e bakshishit, por shihet madje si mungesë respekti.
Për këtë arsye, është e rëndësishme që përpara se të udhëtoni jashtë vendit të mësoni, qoftë edhe shkurtimisht, mbi tiparet themelore të kulturës vendase për të shmangur situata të pakëndshme.
Një nga shembujt më të mrekullueshëm është ai i Japonisë. Atje, praktikisht askush nuk lë bakshish në restorante apo bare. Njerëzit më tradicional priren ta konsiderojnë atë një gjest përbuzjeje dhe jo respekti.
Në fakt, është diçka që zakonisht është më e pranishme në filozofinë e jetës në disa pjesë të Azisë. Një vend tjetër ku bakshishi është pothuajse tabu është Kina. Është e vërtetë që gjigandi aziatik ka një mënyrë jetese që ndikohet gjithnjë e më shumë nga hapja e tij drejt Perëndimit dhe se shumë nga zakonet perëndimore kanë filluar të përshkojnë popullsinë, por bakshishi ende nuk shihet me sy të mirë. Për shumë banorë, ai shihet si një akt superioriteti nga ana e personit që paguan paratë, gjë që e vendos personin që i merr ato në një nivel nënshtrimi të nënkuptuar.
Kështu është edhe në Danimarkë. Normalisht, fatura e restorantit në këtë vend skandinav e përfshin shërbimin, kështu që do të ishte e tepërt të jepej bakshish. Për më tepër, ky vend, si pjesa tjetër e zonës skandinave, përgjithësisht ka paga mjaft të larta në sektorin e mikpritjes – ndryshe nga Shtetet e Bashkuara – kështu që punëtorët nuk varen nga bujaria e klientit për të jetuar.