Aktualitet Tre të kërkuarit e radhës nga policia: Të dënuar me 25 vjet...

Tre të kërkuarit e radhës nga policia: Të dënuar me 25 vjet burg për vrasje

Policia e Shtetit vijon të publikojë emrat dhe të dhënat e personave të shumëkërkuar që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe janë dënuar që të kalojnë kohë të gjatë pas hekurave.

Kësaj radhe, Policia e Shtetit publikon gjeneralitetet e 3 personave të tjerë, të dënuar me 25 vjet burg për vrasje.

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve, duke iu siguruar anonimatin, nëse kanë të dhëna për vendin ku fshihen këta persona.

Pjetër Pacani, i dënuar me 25 vjet burgim

Në datën 18 janar 2011, pranë një karburanti në autostradën Lezhë-Tiranë, shtetasi Pjetër Pacani ka vrarë me armë zjarri shtetasit N. Z. dhe V. Gj.

Gjykata e Rrethit Tiranë e ka dënuar me 25 vite burg, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Jak Gjini, i dënuar me 25 vjet burgim

Në datën 30 gusht 2003, në fshatin Tresh, Lezhë, shtetasi Jak Gjini ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta, shtetasin P. B. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë e ka dënuar me 25 vite burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Besmir Xhebexhia, i dënuar me 25 vjet burgim

Në datën 22.07.2000, Besmir Xhebexhia ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, vëllezërit A. N. dhe R. N. dhe ka plagosur rëndë duke i këputur krahun e djathtë, shtetasin H. N. Besmir Xhebexhia është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”.