Tre veta u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën nga të shtënat në një tramvaj në qytetin Utrecht të Holandës, tha prefekti i këtij qyteti në një deklaratë për stacionin holandez NOS.
Policia tha se është vënë në kërkim të një 37-vjeçari më origjinë turke që u identifikua si Gokmen Tanis, në lidhje më sulmin.
Autoritetet thanë se sulmi “mund të ketë motive terroriste”.
Kryeministri, Mark Rutte, tha se është “thellësisht i brengosur”, ndërsa Radioja Holandeze tha se janë shtuar masat e sigurisë përreth selisë së qeverisë në Hagë.
Bashkërenduesi kombëtar për luftën kundër terrorizimit tha se është shtuar shkalla e gatishmërisë derisa sulmuesi është ende në arrati.
Masat e sigurisë janë shtuar përreth shkollave, xhamive dhe metrosë pas të shtënave, ndërsa vendi i ngjarjes është rrethuar nga forca të mëdha të sigurisë.