Tre persona kanë humbur jetën në tre aksidente të ndryshme brenda 24 orëve në vendin tonë.
Aksidenti më i fundit ishte ai i ndodhur paraditen e kësaj të shtune në Hamallaj të Durrësit ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e goditjes së fortë ka ndërruar jetë shtetase me inicialet E. H., e cila ishte pasagjere në një prej mjeteve të përfshira në aksident.
Një tjetër aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes në Tapizë të Fushë-Krujës, kur dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën. Si pasojë ndërroi jetë drejtuesi i njërit mjet, i identifikuar si Qemal Shabani rreth 60 vjeç, ndërsa mbeten të plagosur dy persona të tjerë.
Më herët gjatë mbrëmjes së djeshme një 85 vjeçar humbi jetën në një tjetër aksident të ndodhur në një rrugë dytësore që lidh aksin Lushnje-Fier me Divjakën.