Kryesore Tre viktima nga COVID-19 në Shqipëri, rritet numri i pacientëve në gjendje...

Tre viktima nga COVID-19 në Shqipëri, rritet numri i pacientëve në gjendje të rëndë

Në 24 orët e fundit janë 3 pacientë që kanë humbur jetën si pasojë e komplikacioneve nga Covid.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se dy prej tyre ishin nga Durrësi, përkatësisht 58 dhe 74 vjeç dhe një qytetar nga Tirana, 70 vjeç. Ndërkohë janë shëruar 691 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në mbi 160 mijë persona që nga fillimi i epidemisë.

Edhe rastet e reja të konfirmuara janë më të pakta se mesatarja e javës që po lemë pas. Nga 2592 testime kanë rezultuar pozitivë me Covid, 467 qytetarë. Vatra kryesore mbetet Tirana me 168 të infektuar. Bie në sy se në qytetet e mëdha si Durrësi, Vlora, Elbasani apo Korça, rastet janë më të pakta se ditët e kaluara.

Në të gjithë vendin, sipas shifrave zyrtare, janë 8,951 pacientë aktivë me koronavirus, ndërsa në spitale po marrin trajtim 182 pacientë, nga të cilët 40 janë në gjendje më të rënduar.