Turistët, një pjesë e mirë e të cilëve dorështrënguar, nuk po i zëvendësojnë dot shqiptarët e ikur.
Në kulm të sezonit veror, tregtarët ankohen për më pak shitje. Në pyetësorin e përmuajshëm që Banka e Shqipërisë bën, besimi i bizneseve në këtë sektor vijoi rënien edhe në korrik, me 3,1 pikë.
Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë, shprehet: “Kjo ka lidhje më shumë me pritshmëritë e atyre tregtarëve të cilët prisnin të kishin një volum më të lartë dhe sidomos me atë që u pompua opinioni se do të kishim një konsum të shtuar si pasojë e turizmit. Mos të harrojmë gjithashtu se tkurrja e popullsisë në heshtje ndikon te konsumi pasi ne jemi ndjeshëm konsumatorë më të lartë se të huajt.”
Pas shenjave të forta të pesimizmit në qershor, muajin e shkuar bizneset në sektorin e shërbimeve ku përfshihen baret dhe restorantet raportuar rritje të besimit me 1,7 pikë. Për herë të parë pas disa muajsh në rënie, rritje të besimit në ekonomi në korrik shfaqën edhe bizneset në sektorin e industrisë dhe atë të turizmit.
“Turizmi dashur pa dashur ka ndodhur historikisht ka ndikuar te rritja e kërkesës për sektorin e turizmit dhe për mallra në sektorë të tjerë, përfshirë ato industrialë”, deklaroi Gjokutaj.
Me shpresën se çmimet nuk do të rritet më tej, rritje të lehtë të besimit se situata ekonomike do të vijë duke u përmirësuar shfaqën edhe konsumatorë: “Besimi konsumator është treguesi më i rëndësishëm dhe për momentin nuk jemi në nivelet e dëshiruara. Tregon që gjendja e përgjithshme ekonomike nuk është fort optimiste”.
Rikthimi i optimizmit në disa sektorë, bëri që në pyetësorin e përmuajshëm që Banka e Shqipërisë bën, treguesi i ndjesisë ekonomike që mat aftësinë e bizneseve për të kryer investime dhe konsumatorëve për të shpenzuar, të rritej lehtë, me 0,8 pikë. /A2CNN