Tregu i telefonisë celulare po shkon drejt riformatimit. Kompanitë dhe institucionet rregullatore janë në diskutim për numrin e licencave që do të mbeten në treg dhe masat për mbrojtjen e konsumatorit.
Aktualisht në treg janë katër operatorë, Vodafone Albania, Telecom Albania, Albtelecom dhe Plus Telecommunication. Por, duket se së shpejti do të kemi tre operatorë në treg.
Sinjali i parë është dhënë nga Autoriteti i Konkurruencës, i cili ka bërë të ditur zyrtarisht se ka marrë njoftimin për një marrëveshje që Vodafone Albania dhe Telecom Albania kanë arritur me kompaninë Plus Telecommunication, në bazë të së cilët dy kompanitë e para do të ndajnë të drejtën e përdorimit të frekuencave të Plus Communication.
Kjo do të thotë që Plus do të jetë operatori që do të largohet së shpejti nga tregu.
Diskutimet e operatorëve rregullatorë (Autoriteti i Konkurrencës, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) janë përqendruar në faktin se si duhet të mbrohet konsumatori, pra nëse do të mundësohet një portim i numrave drejt operatorëve të tjerë.
Pasi Vodafone dhe Telecom Albania (ish AMC) vepruan të vetëm në treg për më shumë se një dekadë, duke operuar me çmime të larta dhe fitime të mëdha, konkurrenca u shtua me hyrjen e Eagle Mobile (që sot është pjesë e Albtelecom) e cila nisi aktivitetin në vitin 2001 dhe më pas të Plus Communication në qeshor 2009. Kjo solli një ashpërsim të garës mes operatorëve dhe rënie të fitimeve, por që u shoqërua me ulje të ndjeshme të çmimeve për konsumatorët.
Tashmë që tregu po shkon sërish drejt konsolidimit, konkurrenca pritet të zbutet, duke dhënë ndikim e vet dhe në ofertat për konsumatorët./Monitor