Lulzim Basha tha se Edi Rama dhe Sali Berisha janë në sinkron me veprimet e tyre, pasi sipas tij, edhe Rama pret të shpallet “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Edhe më i dëshpëruar është Edi Rama, por sepse e di që trekëndëshi do të merret me radhë. Kur bie baza do të bien edhe brinjët e trekëndëshit të Bermundës. Prandaj dje panë një “non grata” dhe një që pret të shpallet “non grata” në sinkron të plotë para godinës së kryeministrisë. Elementet kriminale nuk po i përdor vetëm Rama dhe Meta, por edhe Sali Berisha. Ata janë bashkë për ta mbajtur Shqipërinë kështu siç është, por nuk është plaçka e tyre. Është atdheu i gjithë shqiptarëve, dhe ne do të bëjmë të mundur që çdo shqiptar ta gëzojë këtë vend të bekuar, por të vjedhur nga kjo treshe e korrupsionit, babëzisë dhe papërgjegjshmërisë politike”, tha Basha në një konferencë për mediat.
Lidhur se ku e bazon këtë fakt, Basha tha: “Nuk kam asnjë provë, por Rama po sillet si dikush që ka frikë të shpallet “non grata”.
Ai shtoi se PD-ja do të dërgojë brenda vitit në Gjykatën Kushtetuese ligjin për bashkëqeverisjen dhe abuzimet me fondet e tërmetit.
“Që të vidheshin siç i kanë vjedhur, Rama me të tijtë kanë bërë një sërë manovrash të paligjshme përmes të cilave kanë mundësuar që fondet të shkojnë në duart e pak njerëzve dhe të përbëjnë një aferë të tmerrshme korruptive, pas asaj të korrupsionit gjatë pandemisë. Gjithçka është e dokumentuar nga disa organizata jofitimprurëse. Është një material i plotë sesi janë keqpërdorur paratë e shqiptarëve, e atyre që qëndrojnë akoma në çadra. Por padia e tyre nuk është pranuar nga Gjykata Kushtetuese. Do të depozitojë padinë në Gjykatën Kushtetuese, sa i takon korrupsionit me tenderat e rindërtimit, por edhe ligjin për bashkëqeverisjen”, tha Basha.