Kulturë Tri dekada në skenë! Mirënjohje për aktorin e talentuar, Rako Laska

Tri dekada në skenë! Mirënjohje për aktorin e talentuar, Rako Laska

Memaliaj është shquar për aktorë të shkëlqyer, edhe pse luanin në trupën amatore të qytetit, aktrimi i tyre ishte i nivelit profesionist. Një prej tyre është edhe aktori Rako Laska.

Ai u lind më 5 nëntor të vitit 1950, në fshatin Zhej (Zagorie), të rrethit të Gjirokastrës, me prindër Sofokli nga Malshova e Përmetit dhe Kono and Kondo nga Zheji. Të dy prindërit e tij kanë marrë pjesë në LANÇ-re me çetat territoriale.

Arsimimin e filloi në vendlindjen e tij ku mori klasën e parë dhe të dytë. Pasi familja Laska, u vendos me banim në qytetin e Memaliajt, Rakua përfundoi arsimimin 8-vjeçar, ndërsa atë të mesëm e mbaroi natën dhe me pa shkëputje nga puna.

Përpjekjet e tij të para, në rrugën e aktrimit, u nisën në moshë të vogël. Si çapkën që ishte u pikas përgjatë aktiviteteve shkollore dhe e thërrasin duke i thënë që të shkojë në një nga dhomat e Pallatit të Kulturës së Memaliajt. Aty takon disa nga artistët e trupës si Kiço Kume, Shkëlqim Pashollari, Liri Mita,…etj. Ata, pasi i urojnë mirëseardhjen, i bëjnë të ditur arsyen e ftesës dhe i propozojnë, që të luajë rolin e Gjinos tek teatri “14 vjeç dhëndër, që kishin në projekt për ta aktruar në skenë. Pak më vonë vjen edhe regjisori, Spiro Taçi dhe e përgëzon për prezencën e tij, edhe pse i vogël në moshë. Përgjatë prezantimit, kur regjisori Spiro Taçi mësoi atësinë e Rakos dhe vendlindje e tij, e përqafon, duke i thënë se ‘ne jemi tanët’. Për arsye që nuk u mësuan, përgatitjet për ta vënë në skenë këtë teatër u anuluan. Në ato vite shkollore, i ka dhënë mësim Birçe Hasko, i cili ishte mësues në Memaliaj.

Kur ishte në tetëvjeçare, babai i bleu një fizarmonikë të vogël dhe shkon në Pallatin e Kulturës dhe takon prof. Fatmir Meçen, i cili jepte lëndën e muzikës përgjatë vitit shkollorë dhe në stinën e verës, punonte në Pallatin e Kulturës. Aty filloi të merrte mësimet e para për fizarmonikë ku prof. Fatmir Meçe i jepte ushtrime të ndryshme dhe Rakua i ushtronte ato. Aty shikonte brezin e parë të aktorëve memaliotë si Spiro Taçi, Vasil Vaso, Mitat Gërbi, Paskal Nasi, Jorgo Boli dhe shumë të tjerë që bënin prova. Aty i lindi dëshira, duke ëndërruar se një ditë, edhe ai do të ngjitet në skenë. Mbas disa vitesh kjo ëndërr iu bë realitet.

Roli i tij i parë, ka qenë në një skeç për sigurimin teknik në punë. Regjisori i tij i parë ishte Agim Lika. Ka luajtur edhe shumë parodi, ku një prej tyre titullohej “Servili vajton shefin” e Dritëro Agollit, të cilën e debutoi me vëllezërit Muharrem dhe Mehdi Malka. Ka aktruar në disa drama dhe komedi. Në vitet 1976-77 ka luajtur në komedinë “Dasëm pa nuse” me regjisor Agim Lika. Ndër vite ka luajtur edhe në skenën e Pallatit të Kulturës së Tepelenës. Disa nga këto shfaqje janë si: “Gjëmim i atij dimri” (dramë), “Mulliri” i Kosta Bardhit, “Tufan në Dovlet” (komedi), …etj me regjisorë, Note Buzo, Zef Mosi dhe Myzafer Zifla. Për të ndihmuar në vënien e një drame, ka ardhur nga Gjirokastra regjisori Andon Pilo.

Aktori Rako Laska ka luajtur edhe kur trupa e Tepelenës dhe e Mamaliajt bënin takime të përbashkëta kulturore. Ka qenë instrumentist me “Bandën muzikore” të Memaliajt, që nga krijimi i saj në vitet 1972-73 dhe në koncertin e parë që ekzekutuan në vitin 1974, duke luajtur me klarinetë Si bemol. Më vonë, kur kaloi në Tepelenë, ka luajtur me “Bandën muzikore” me instrumentin e trompës Mi bemol që hyn tek harmonia.

Kur ai ishte pjesë e trupës artistike të Tepelenës, kanë marrë disa herë vlerësime nga Komiteti Ekzekutiv i rrethit, me shef kulture z. Shkëlqim Hajnaj, i cili u kishte thënë se po përpiqej që trupa të fitonte statusin “Estradë Profesioniste”.

Aktori Rako Laska ka qenë pjesë edhe e trupës së Teatrin të Kukullave, për shumë vite me radhë ku luanin me kukulla pas perdes. Regjisori i kësaj trupe në atë kohë ka qenë Ilir Nikolla dhe më vonë Murat Dervishi. Shfaqjet teatrale i jepnin paradite, pasi ishte kohë e përshtatshme për fëmijët e kopshtit dhe nxënësit e shkollës fillore.

Kontributi i aktorit Rako Laska në skenë është mbi 30 vjet, nëpër role dhe aktivitete të ndryshme kulturore-artistike.

Në lidhje me jetën e tij në punë, fillimisht ka punuar punëtor dhe me mbarimin e kursit të shoferëve shkon të kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pasi kthehet fillon punë si shofer në prokurori për 15 vjet rresht.

Familjen e tij e ka krijuar në vitit 1977 me bashkëshorten e tij Diana dhe kanë dy fëmijë, emrat e të cilëve janë Suela dhe Admir.

Janë edhe kolegët e tij dhe të tjerë, të cilët shprehim mendimet e tyre, të cilat poi sjellim si më poshtë:

Artan Xhaferri (muzikolog, kompozitor): Rako Laska, një talent i lindur dhe me mundesi të gjera aktoriale. Humori i tij brilant, e bënte atë të dallohej nga të tjerët, sii lider në këtë fush. Pantomima ishte një gjini që Rakua e kishte të spikatur si realizim dhe mendoj se, po t’i ishte dhënë mundësia, do shkëlqente edhe në skenat e Tiranës , për t’u bërë i njohur kombëtarisht. I uroj Rakos, vite të bukura e të lumtura!!”

Myzafer Abedini (aktor, komedian): “Rakua Laska ishte një aktor i shkëlqyer. Ai kishte një plastik të mrekullueshëm! Për mua, ishe kënaqësi e madhe të luaja me Rakon sepse suksesi ishte i garantuar. Rruaj kujtimet të bukura dhe  respektin më të madh, për këtë koleg! iI uroj shëndet dhe gjithë të mirat, mikut tim.”

Xhafer Meçe (avokat): “Rakua është njeri me shpirt artisti dhe me humor të hollë. Meriton respekt.”

Aktori Rako Laska, kujtohet me respekt nga brezat tepelenas, për kontributin e tij që ka dhënë në tri dekada në skenë, duke interpretuar me dhjetëra role, plot dinamika, emocione dhe vlera artistike.

I jemi mirënjohës për gjithçka që na ka dhuruar, në fushën e artit dhe të kulturës!

Edmond Ismailati

Dhjetor 28, 2023