Aktualitet Tri gra të vrara në Tiranë, vrasësi serial Dan Hutra dyshohet autor...

Tri gra të vrara në Tiranë, vrasësi serial Dan Hutra dyshohet autor i 3 ngjarjeve të rënda kriminale

Tirana u trondit këtë të mërkurë nga 3 vrasje e 3 plagosje, ngjarje të ndodhura në 3 vende të ndryshme.

Ngjarja e parë e raportuar nga policia ishte ajo e ndodhur rreth orës 13:00 në Paskuqan: Dan Hutra, 40-vjeç shkoi në shtëpinë e ish-partneres dhe hapi zjarr. Bilanci është dy të vdekura, Mevlute Hysa 30 vjeçe (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Të plagosura mbetën Elena Hysa, 35 vjeçe ish-bashkëjetuesja e autorit të dyshuar dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe, nëna e saj.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar u arratis dhe vijon të jetë në kërkim.

Thuajse në të njëjtën kohë ndodh ngjarja e dytë kriminale. Në Kamzë një vajzë 31-vjeçare u gjet e ekzekutuar me armë zjarri në shtëpinë e saj. Ajo është Etleva Kurti, cila siç tha policia paraprakisht, është vrarë në rrethana të paqarta. Dëshmitarët thanë se autori qëlloi nga një makinë e zezë që u largua me shpejtësi.

Disa orë më vonë, u zbulua një tjetër krim, ngjarja e tretë kriminale, këtë herë në Astir. Para masakrës në Paskuqan, Dan Hutra kishte plagosur një tjetër grua. Bëhet fjalë për 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi, ish e dashura e Dan Hutrës.

Paraprakisht, dyshimet e grupit hetimor të policisë janë se të gjithë këto ngjarje kanë një autor, pikërisht 40-vjeçarin Dan Hutra, i cili vijon të jetë ende në kërkim. Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve se Dan Hutra është i armatosur dhe i rrezikshëm, e kushdo që ka informacione të njoftojë autoritetet.

Kujtojmë se Dan Hutra është person me precedent të theksuar kriminal, i liruar nga burg vetëm pak kohë më parë.