Humbja e fundit në Champions League, konfirmoi se Manchester City po kalon një krizë sa i përket rezultateve. Disfata ndaj Sporting Lisbona me rezultatin 4-1, ishte e treta radhazi për “qytetarët” pas humbjeve ndaj Tottenham dhe Bournemouth.
Tri humbje radhazi për City-n, nuk ndodhnin nga viti 2018. Skuadra po përballet me një moment të vështirë, por trajneri Pep Guardiola, duket se e ka pritur diçka të tillë.
“Është një moment i vështirë, por unë jam ende këtu. Do të jetë një sezon i vështirë, e kemi ditur që në fillim këtë. Më pëlqen kjo, do e përballojmë. Dua të ngre lojtarët dhe të provojmë t’ia dalim. Po luftojmë në të gjitha kompeticionbet dhe ecim përpara. Ndoshta njerëzit këtë presin, por unë nuk dorëzohem”, deklaroi Guardiola.
Një nga arsyet që ka ndikuar në rezultate, është padyshim problemi i dëmtimeve, me anglezët që kanë humbur Rodrin, ndërsa më parë janë përballur me dëmtimet e De Bruyne, Grealish, Ake, Foden, Doku, Walker, Stones dhe Ruben Dias.