Aaron Ramsey u dha një lamtumirë shumë emocionuese tifozëve të Arsenalit, të dielën, pas ndeshjes së barazuar 1-1 me Brightonin në “Emirates”, duke përmbyllur një karrierë 11-vjeçare te “Topçinjtë”.
Ramsey u nderua së bashku me dy veteran të Arsenalit. Nëse për Petr Cech dhe Danny Welbeck, u rezervua thjesht një pritje e ngrohtë nga tifozët, në momentin e shfaqjes së Ramsey, stadiumi “Emirates” shpërtheu në ovacione dhe lot.
Ramsey, i cili u bashkua me klubin si një lojtar 17-vjeçar nga Cardiffi, nuk i përmbajti emocionet teksa fansat e Arsenalit kremtuan karrierën e tij të shkëlqyer përpara transferimit të tij si lojtar i lirë tek Juventusi në Serinë A.
Uellsiani u mundua të kontrollonte gjendjen e tij emocionale: “Është shumë emocionuese. Ishte një udhëtim i mrekullueshëm 11-vjeçar në jetën time. Kuptohet nga zërin tim se çfarë do të thotë kjo për mua. Ju jam mirënjohës për mundësinë që më keni dhënë për të luajtur për këtë klub të madh. Kam kaluar 11 vjet këtu, erdha vetëm 17 vjeç, një djalë i ri, por tani po largohem si burrë. Kam një familje, gruan time, fëmijët e mi, kanë ndodhur aq shumë gjëra.”
Kur u pyet për kujtimin më të bukur me Arsenalin, Ramsey u përgjigj: “Triumfi në FA Cup kundër Hull City-t, sepse kishim disa vite pa fituar një trofe dhe po kaloja një sezon të mirë.”
Cech, ndërkohë, nuk ishte duke i thënë lamtumirë vetë Arsenalit të dielën, por edhe Premier League-s: “Është një moment shumë i veçantë dhe duhet të them se është një ndjenjë shumë e çuditshme. Shpresoja ta fitonim ndeshjen e fundit në shtëpi. E kemi vënë veten në një pozitë aspak komode. Jam krenar që kam luajtur për 15 vite në kampionatin më të fortë në botë dhe kam patur një formë të qëndrueshme.”
Lamtumirat e Ramsey, Cech dhe Welbeck erdhën në një moment delikat për Arsenalin, që duhet të gjejë liderë të tjerë gjatë merkatos së verës për t’u rikthyer në katërshen më të mirë të Premier League-s.