Aktualitet Tri vajzat e mitura qëndronin nëpër hotelet e Fushë Krujës, djemtë u...

Tri vajzat e mitura qëndronin nëpër hotelet e Fushë Krujës, djemtë u çonin klientët: Shkatërrohet rrjeti i prostitucionit

Një operacion i policisë së Tiranës në bashkëpunim me atë të Krujës zbuloi se 3 vajza adoleshente, të larguara nga shtëpitë e tyre një vit më parë, shfrytëzoheshin për prostitucion.

Në një njoftim për mediat, policia tha se kishte arrestuar 3 persona, si autorë të dyshuar, ndërsa një i katërt është shpallur në kërkim. Sa i përket vajzave, të moshës 15, 16 dhe 17 vjeçe, policia nisi procedim penal për ushtrim prostitucioni.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjet e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Lokalizimi”. Në kuadër të këtij operacioni: u ndaluan shtetasit S. D., 21 vjeç, K. K., 24 vjeç, dhe F. C., 20 vjeç, të tre banues në Larushk; u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi K. D., 22 vjeç, banues në Larushk;  u proceduan penalisht 3 shtetase të moshës 15, 16, dhe 17 vjeçe”.

Nga hetimet rezultoi se 3 të arrestuarit së bashku me të shpallurin në kërkim, “në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për prostitucion tre shtetaset e mitura, të moshës 15, 16, dhe 17 vjeçe, kundrejt përfitimeve monetare. Autorët e dyshuar, pasi kontaktonin me persona të tjerë, i adresonin ata për në hotelet ku akomodoheshin të miturat, në zonën e Larushkut, Fushë Krujës, dhe në Arameras”.

Gjatë kontrolleve fizike të njërit prej të arrestuarve dhe të 17-vjeçares, policia gjeti një sasi kanabisi.

Tri të miturat ishin larguar nga banesat përkatëse në muajt qershor, shtator dhe tetor të vitit të kaluar.