Mosrespektimi i himnit kombëtar të Kinës mund të dënohet me tri vite burg, sipas një amendamenti të propozuar të ligjit penal në vend.
“Projekt-amendamenti i është dorëzuar parlamentit të Kinës, Kongresit Kombëtar të Popullit”, njoftoi sot media shtetërore.
“Ligji penal parashikon dënime për fyerje të flamurit dhe emblemës kombëtare”, tha Wang Chaoying, zëvendëskryetari i komisionit parlamentar të çështjeve legjislative, për agjencinë zyrtare kineze të lajmeve Hsinhua.
Kina ka vendosur një ligj të rreptë nëpërmjet të cilit kërkon që qytetarët e saj të respektojnë simbolet kombëtare.
Sipas një ligji të veçantë për himnin kombëtar, i miratuar në shtator, të gjithë ata që ironizojnë himnin ose e përdorin atë në momente të papërshtatshme si në funerale apo reklama komerciale mund të përballen me ndjekje penale dhe me 15 ditë burg.
Gjithashtu, ligji i himnit mund të aplikohet në rajonet e veçanta administrative të Hong Kongut dhe Makaos, sipas dy projektligjeve të shqyrtuara sot nga parlamenti.
Qytetarët e Hong Kongut e kanë kritikuar ligjin e himnit.