Një shpërthim tritoli i vendosur në verandën e një lokali në zonën e Ujit të Ftohtë pranë Lungomares në Vlorë, ka rikthyer hijet e hakmarrjes së ngjarjeve të ndodhura vite me parë.
Lënda shpërthyese ishte vendosur rreth orës 6:00 të mëngjesit të kësaj të diele në lokalin, që është në pronësi te familjes Birçaj.
Në maj të vitit 2021 në një atentat u ekzekutua ish-pronari i Bledar Birçaj, dhe lokali tashmë është në emër të nënës së tij.
Pikërisht e kaluara e të ndjerit Bledar Birçaj, janë dyshimet kryesore të policisë së Vlorës për vendosjen e sasie tritoli që fatmirësisht shkaktoi vetëm dëme materiale.
Policia ka nisur verifikimin e kamerave të sigurisë për identifikimin e autorit të vendosjes së lëndës plasëse si dhe ka nisur marrjen në pyetje të anëtarëve të familjes që kanë në pronësi lokalin në fjalë.