Aktualitet Tritoli në Durrës, policia identifikon autorin: Doli nga Shqipëria një ditë pas...

Tritoli në Durrës, policia identifikon autorin: Doli nga Shqipëria një ditë pas ngjarjes

Eksplozivi i vendosur në banesën e Ilir Koçiljas në Durrës më 26 shkurt të këtij viti, e ka sipas policisë një autor të dyshuar. Policia njofton se nga veprimet hetimore është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit me iniciale F.Ll.

Nga verifikimet e kryera rezulton se ai ka dalë nga Shqipëria, një ditë pas ngjarjes. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast është shpallur në kërkim autori i dyshuar, i cili kishte qenë i dënuar dhe më parë për ngjarje të tjera kriminale në Durrës.

Më herët, policia ka identifikuar një parullë në murin e jashtëm të shtëpisë së Koçilja ku shkruhet “Endacaku Vrasës” që dyshohet se të jetë bërë pak para shpërthimit. Nisur pikërisht nga kjo, grupi hetimor dyshon se vendosja e eksplozivit të ketë lidhje me ngjarjen e 14 shkurtit ku Ilir Koçilja vrau me thikë fqinjin e tij Halil Koka pas një konflikti për parkimin e makinës së viktimës në hyrjen para pallatit.

Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, duke shembur një pjesë të murit dhe kangjellat e dritares, si dhe duke shkatërruar thuajse të gjitha orenditë dhe pajisjet që gjendeshin brenda shtëpisë së Ilir Koçiljas.

Forca shpërthyese ka qenë aq e madhe sa ka dëmtuar edhe disa makina që kanë qenë parkuar në rrugë dhe ka thyer xhamat edhe të ndërtesave të tjera përballë. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati të lënduar, pasi në shtëpi nuk jeton njeri, dhe se vetë Ilir Koçilja ndodhet në qeli.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”.