“Një emocion i papërshkrueshëm”. Kështu u shpreh Ermal Meta sapo fitoi festivalin ‘Sanremo 2018’.
Këngëtari shqiptar në bashkëpunim me Fabrizio Moro mbërthyen pas vetes publikun me këngën “Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë).
Kënga është një himn kundër terrorizmit dhe në tekstin e saj përfshihen shumë raste të ndodhura në të shkuarën, por që lajtmotiv mbetet vargu “nuk më keni bërë asgjë”, që përbën edhe titullin e saj.
Pas fitores së çmimit është publikuar edhe videoklipi i këngës, që ilustron në imazhe qytetet e rrënuara nga bombardimet, homazhet e njerëzve në vendngjarje dhe fëmijët e vegjël, si simbol i mosmposhtjes.
Mes gjuhëve nga e gjithë bota, në videoklip shfaqet edhe gjuha shqipe, (në minutën e 2:42-2:49).
Kënga përcjell një temë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist. “Kënga jonë është një rebelim i njerëzimit ndaj frikës së terrorizmit”,- kanë deklaruar dy këngëtarët.