Trojet në zona të ndryshme të vendit janë pasuria më shpesh e sekuestruar nga SPAK dhe më pas e konfiskuar edhe nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si e blerë me para të konsideruara të pista, thënë ndryshe të aktiviteteve kriminale.
Sipas Tv Klan, të dhënat e 3 viteve të fundit tregojnë se nga viti 2021 me kërkesë të SPAK u vunë në sekuestro 86 troje, ku përfshihen sipërfaqe tokë truall e arë dhe 27 prej tyre janë konfiskuar dhe i kanë kaluar shtetit.
Për pjesën tjetër vijojnë proceset gjyqësore. 67 apartamente dhe garazhe gjithashtu iu gjetën të pajustifikuara personave që u hetuan nga SPAK gjatë të njëjtës periudhë, duke e bërë atë pasurinë e dytë më të investuar nga krimi.
Makinat janë një tjetër pasuri ku investohet sipas hetimeve nga personazhe të lidhur me aktivitete të kriminale, e kryesisht në trafikun e drogave. Prokuroria e Posaçme sekuestroi gjatë 3 viteve 48 mjete, ku përfshihen në pjesën më të madhe makina, por edhe mjete ujore. 37 janë konfiskuar dhe i kanë kaluar shtetit.
Nga ana tjetër është vënë sekuestro për shoqëri tregtare në nivelin 100% ose jo për 38 kompani që kanë rezultuar sipas SPAK të bëjnë qarkullim të parave të pista.
Gjatë vitit 2023, një pjesë e konsiderueshme e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara kanë qenë të lidhura me hetimet për akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe pastrimit të parave.