Në emisionin “Review” në Euronews Albania ishte i ftuar mbrëmjen e sotme babai i djalit të plagosur pas sherrit te shkolla “Fan Noli” në Tiranë ku humbi jetën Martini 14-vjeçar. Babai i Luisit tregoi mbi gjendjen shëndetësore të djalit të tij dhe çfarë i ka treguar ai mbi sherrin.
“Ne jemi komshinj me Martinin dhe fëmijët njiheshin që të vegjël, ishin dhe në stërvitje bashkë dhe gjithmonë i merrja unë te dy. Ata ishin të pandarë dhe ishin si vëllezër dhe përveç sportit merreshin dhe me not”.
“Unë kam folur me Luisin për ngjarjen, dhe ai mban mend vetëm pjesën e konfliktit, dhe ai ka shkuar atje sepse e ka kërkuar Martini i cili i ka thënë djalit tim që më ka goditur një person i madh në moshë”, thotë babai i Luisit.
“Luisi nuk është më mirë, por nga reanimacioni ka dalë, por është akoma në stres e në panik, goditjet janë shumë të thella, krahun e majtë pothuajse e ka të paralizuar, po i bëjmë fizioterapi në mënyrë private se nga spitali nuk po na ofrojnë asgjë, as psikolog as fizioterapi. Mjekët na kanë thënë që nuk do ketë ndërhyrje të dytë deri sa të shohin gjendjen në vazhdim. Thika i ka prekur dhe mëlçinë dhe djali është në intubim dhe po presim mos përmirësohet. Për momentin po e mbajmë aty por po e mendojmë ta çojmë jashtë se nuk e di se sa kohë do të duhet që me pesë plagë në trup të bëhet ai që ka qenë”, tha babai i Luisit në Euronews Albania.
Babai i Luisit tregon një detaj të ri në këtë ngjarje ky sipas tij Luisi dhe Martini janë goditur nga dy persona. Ai ka treguar dhe emrin e personit tjetër që sipas tij ka goditur Martinin dhe djalin e tij. Sipas tij ai është një shok i autorit të dyshuar.
“Po ta them me emër që personi i parë që e ka goditur Luisin me thikë pas shpine është K. B., bashkëmoshatar dhe shok i autorit tjetër. Ky e ka pasur thikën më të vogël thikën dhe këto dëshmi i dhashë sot te Drejtoria e Policisë. Kledjoni e ka goditur i pari në shpatull djalin tim, është më shkurtër si plagë dhe më e ngushtë, herën e dytë e ka goditur ky djali që është kapur Mario, dy herë dhe në fund pastaj e kanë goditur të dy se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë”, tha babai i Luisit në emisionin Review në Euronews Albania.