“Pothuajse të gjithë gjermanët do të vaksinohen, kurohen ose do të vdesin deri në fund të dimrit”. Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, në një konferencë për shtyp në Berlin, duke iu drejtuar një thirrje dramatike qytetarëve që të vaksinohen.
Ai pranoi se disa e kishin përshkruar këtë pikëpamje si cinike. “Por është e vërtetë. Me variantin Delta shumë ngjitës, kjo është shumë e mundshme dhe kjo është arsyeja pse ne po rekomandojmë vaksinimin kaq urgjent”, shpjegoi Spahn.
Ministri i Shëndetësisë u bëri thirrje gjermanëve që të vaksinohen, duke përfshirë edhe vaksinat përforcuese, nëse raundi i parë i vaksinimit ka ndodhur më shumë se gjashtë muaj më parë, për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të rënda.
Shifrat zyrtare treguan më shumë se 30 000 raste të reja të konfirmuara në Gjermani gjatë 24 orëve të fundit, një rritje prej rreth 50%, krahasuar me një javë më parë. Spitalet kanë paralajmëruar se kapacitetet e ICU janë pothuajse të shteruara, me disa pacientë që duhet të transferohen në klinika të tjera larg.
Gjermania pret që Bashkimi Europian të miratojë vaksinat kundër COVID-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç në fund të javës, tha ai. Fëmijët e moshës shkollore kanë ndër normat më të larta të infeksionit në vend.
BE-ja do të fillojë dërgimin e vaksinave të përshtatura për fëmijët më të vegjël më 20 dhjetor, dhe Gjermania fillimisht do të marrë 2.4 milionë doza.