Ndërsa OBSH për Europën deklaroi se të gjitha vaksinat kundër Covid-19 që po përdoren aktualisht në Europë, ofrojnë mbrojtje ndaj të gjitha varianteve të koronavirusit, në qarkullim përfshirë atë indian
Çështja nëse viktimat dhe të prekurit nga koronavirusi janë realisht sa raportohen nga autoritetet, është një ndër temat që ka qenë pjesë e diskutimeve në shumë vende të botës.
E këtë gjë e konfirmojnë dhe autoritetet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë të cilët kanë dalë me një deklaratë tronditëse në lidhje me fatalitetet që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.
Sipas zv/presidentes së përgjithshme të OBSH, Samira Asma, numri i personave që kanë humbur jetën në mënyrë direkte apo indirekte nga koronavirusi janë dyfish ose trefish më të larta.
Deklarata e Asma erdhi gjatë prezantimit të raportit të përvitshëm të agjencisë së OKB për statistikat botërore të shëndetësisë.
Momentalisht, që nga nisja e pandemisë, në botë kanë humbur jetën mbi 3.4 milionë persona.
“Vaksinat mbrojnë nga të gjitha variantet, por shmangni udhëtimet”
Vaksinat kundër Covid-19, të cilat po përdoren aktualisht në Europë, ofrojnë mbrojtje ndaj të gjitha varianteve të koronavirusit, në qarkullim përfshirë atë indian.
Deklarata, e cila iu jep një frymëmarrje lehtësimi europianëve erdhi nga Drejtori për Europën, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge.
“Të gjitha variantet e koronavorusit që janë shfaqur deri më tani, u përgjigjen vaksinave të aprovuara në dispozicion. Më lejoni t’ju them se të gjitha variantet e koronavirusit mund të kontrollohen në të njëjtën mënyrë, me masa sociale dhe të shëndetit publik.”
Shtetet rreth Europës po përdorin kryesisht vaksinat e Pfizer, Modernës, Astra Zeneca dhe Johnson&Johnson, por gjithashtu edhe vaksinat ruse dhe kineze.
Megjithatë, Kluge paralajmëroi se autoritetet shëndetësore duhet të tregohen vigjilentë ndaj rritjes së numrit të infektimeve në rajon, dhe të shmangen udhëtimet ndërkombëtare.
“Përballë kërcënimit të vazhdueshëm, dhe pasigurive të reja ne duhet të tregojmë kujdes. Të rimendojmë ose shmangim udhëtimet ndërkombëtare.”
OBSH tha se që prej identifikimit të variantit B.1 617 në Indi, ai është përhapur në të paktën 26 vende; nga Austria, Greqia, Izraeli e deri në Kirgistan
Kluge tha se zyra rajonale e OBSH-së po shihte me optimizëm të përmbajtur, përmirësimin e situatës pandemike në Europë.
“Jemi në drejtimin e duhur, por duhet të tregojmë vigjilencë. Në disa shtete ka vatra të rritjes së infektimeve që mund të kthehen shpejt në shpërthime të rrezikshme. Pandemia nuk ka përfunduar ende.”