Pa u mbushur ende 24 orë nga krimi në Rrëshen, krimi në familje i merr jetën një tjetër gruaje. Qyteti i Durrësit u trondit paraditen e kësaj të mërkure, kur rreth orës 11:35, një burrë goditi për vdekje me levë bashkëshorten e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi në dyqanin e metrazheve të çiftit Tosuni, në lagjen Nr. 12 të qytetit bregdetar.
Viktima është H.Tosuni, 59 vjeçe, ndërsa autor i ngjarjes së rëndë është 63-vjeçari R.Tosuni. Gruaja gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra.
Autoritetet policore vunë në pranga autorin e dyshuar, ndërsa në vendin e ngjarjes grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e vrasjes, shkaqet e së cilës nuk dihen ende.
Ndërkohë, një natë më parë, në fshatin Kodër Rrëshen të Mirditës, 47-vjeçari Fatmir Kolecaj ekzekutoi me armë zjarri ish-bashkëshorten Esmeralda Filopati dhe vëllain e saj Vledison Filopati, 36 dhe 34 vjeç. Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje nuk është kapur ende.