Ekzekutohet në një atentat mafioz gazetari i njohur grek i kronikës së zezë Jorgos Karaivaz. Ai u qëllua për vdekje rreth orës 14:15 me orën lokale para banesës së tij që duket në këto pamje, në lagjen Alimos të Athinës.
Mediat greke shkruajnë se ai u qëllua me breshëri automatiku me silenciator nga dy persona të armatosur, njëri prej të cilëve mbante veshje të modelit ushtarak. Autorët derdhën në drejtim të tij 17 plumba, 6 prej të cilëve rezultuan fatalë për jetën e tij pasi i përshkuan trupin.
Karaivazi, sapo kishte dalë nga automjeti i tij, teksa kthehej në shtëpi pasi kishte qenë në studion e një emisioni televiziv. Mediat shkruajnë se kohët e fundit, ai kishte kërkuar mbrojtje policore nga Ministria e Brendshme, pasi ndihej i kërcënuar për jetën.
Është ende herët për të folur për pista hetimi, por gazetari ka investiguar ndër të tjera për vrasjen e biznesmenit të kafes Dimitris Malamas në Tetor 2019, i njohur për lidhjet me grupet kriminale mafioze të Athinës. Karaivaz kishte hedhur dritë mbi dyshimet për lidhje mes tij dhe eksponentëve të policisë.
Jorgos Karaivaz është një ndër gazetarët më të famshëm në Greqi me një eksperiencë prej më shumë se 3 dekadëshe.