Një 49-vjeçar me origjinë shqiptare ka goditur me thikë ish-bashkëshorten e tij 41-vjeçare, e cila ka ndërruar në spitalin e Zakynthos të Greqisë.
Ata kanë qenë të ndarë ligjërisht, por së fundmi duket se 41-vjeçarja e ka lejuar ta vizitojë dhe të qëndrojë në shtëpinë e saj.
Sipas medias greke kathimerini.gr, pas një sherri, emigranti shqiptar në Greqi ka dhunuar rëndë ish-gruan e tij dhe më pas e ka goditur me thikë disa herë në gjoks dhe në qafë.
Pas ngjarjes së rëndë, një banor i zonës ka telefonuar Policinë, forcat e së cilës kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë gjetur gruan të mbuluar me gjak, ndërsa afër saj është gjetur edhe një thikë.
Fatkeqësisht, gruaja nuk u ka rezistuar dot plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë disa momente më vonë në spital. Ish-çifti ka tre fëmijë, dy të mitur, dhe një djalë të rritur që jeton jashtë Zakynthos.
Pas krimit, 49-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia është vënë në ndjekje të tij dhe ka bërë të mundur arrestimin e tij mëngjesin e kësaj të hëne.