Rreth pesë muaj para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, PS-ja e Shkodrës ka pësuar ndryshime në radhët e saj. Teksa kryeministri Edi Rama nuk e ka konfirmuar ende nëse do të jetë Senida Mesi, kandidatja e shumicës përballë Voltana Ademit të PD, në qarkun kryesor të veriut është ndryshuar drejtuesi i partisë.
Sipas “Panorama”, PS i ka “zhveshur” petkun e kryetarit, Arvid Osjas duke pranuar dorëheqjen e tij të paraqitur kohë më parë, ndërsa në krye të PS në Shkodër kanë vendosur Edmond Eminin.
Osja qëndroi për pak kohë në krye të PS pavarësisht se kishte paraqitur dorëheqjen deri në momentin që qendra do të emëronte një tjetër drejtues. Ky i fundit është një emër i njohur në radhët e PS Shkodër, pasi aktualisht është drejtues i shtëpisë së të moshuarve, ndërsa PS në këtë qytet e ka drejtuar edhe para disa vitesh.
Prezantimi zyrtar i Eminit pritet të bëhet këto ditë përpara strukturave të PS në Shkodër. Sipas burimeve pritet që Osja të jetë pjesë e të tjera projekteve të mëdha në radhët e PS. Arvid Osja largohet nga drejtimi i PS pas një kohe relativisht të gjatë në krye të socialistëve shkodran.
Ky nuk është ndryshimi i vetëm që vjen sepse pritet që në pak kohë ndryshime të ketë edhe në radhët e drejtorëve rajonal që kanë socialistët në Shkodër. Në fokus janë disa drejtori që janë kritikuar edhe në mbledhjet e strukturave të PS të cilat mund të pësojnë ndryshime.