Presidenti Trump ka sulmuar publikisht majat ushtarake të forcave të armatosura të SHBA-së duke akuzuar Pentagonin se kërkon të zhvillojë luftra në mënyrë që të rrisë fitimet e industrisë ushtarake, të ndërtuar për këtë qëllim.
“Unë e di që udhëheqja ushtarake nuk është e dashuruar me mua, por ushtarët janë. Udhëheqja e Pentagonit nuk është, pasi ata nuk duan asgjë më shumë sesa të bëjnë luftëra në mënyrë që të gjitha ato kompani të mrekullueshme në industrinë e armëve, të cilat prodhojnë bomba, raketa dhe aeroplanë, të jenë të lumtur dhe të kënaqur”, tha Trump në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, raportoi CNN.
Këto komente të pazakonta erdhën vetëm kur një numër komandantësh ushtarakë dhe drejtuesish në Pentagon i raportuan CNN se marrëdhëniet me presidentin po acaroheshin gjithnjë e më shumë.
“Komentet e fundit të presidentit mbi udhëheqjen ushtarake amerikane dhe motivimin e tyre jo vetëm që degradojnë dhe bëjnë të pakuptimtë punën e tyre të përkushtuar dhe shërbimin e tyre, por gjithashtu kanë një efekt korroziv në ushtrinë amerikane”, tha gjenerali i marinës në pension dhe analisti ushtarak i CNN, John Kirby.
Pentagoni nuk i është përgjigjur zyrtarisht një kërkese për të komentuar deklaratat dhe qëndrimin e Trump ndaj ushtrisë.