Presidenti i SHBA, Donald Trump vijon të shenjestrojë Kinën si vendin përgjegjës për përhapjen e coronavirusit. Në daljen e fundit para mediave në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh se Pekini mund ta kishte parandaluar virusin përpara se të prekte të gjithë globin, duke shtuar se administrata e tij do të ndërmerrte hetime serioze për të zbuluara se çfarë ka ndodhur.
“Ka shumë mënyra për t’i cilësuar ata përgjegjës. Ne po bëjmë hetime shumë serioze, siç dhe ju e dini, ne jemi të pakënaqur me Kinën. Ne nuk jemi të kënaqur me të gjithë situatën sepse besojmë se mund të ishte ndalur në burim, ajo mund të ishte ndalur shpejt dhe nuk do të ishte përhapur në të gjithë botën. Por ne po ndërmarrim hetime serioze”, tha presidenti i SHBA.
Ndër të tjera gjatë konferencës për mediat Trump nënvizoi se në varësi të mënyrës se si Europa reagon ndaj koronavirus, do të konsiderojë lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit.
“Ne po e rishohim dhe varet nga koha që Evropa kërkon për t’u shëruar. Italia ka nisur rikthimin. Jam shumë i lumtur që e shoh një gjë të tillë me mikun tim kryeministrin. Ishte tragjike ajo që kaloi Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania, sinqerisht dhe çdo vend tjetër”, tha Trump.
Në përpjekje për të luftuar përhapjen e pandemisë muajin e kaluar, Trump ndërmori hapin për të kufizuar udhëtimet nga vendet evropiane. COVID-19 ka infektuar më shumë se 988.197 njerëz dhe ka vrarë më shumë se 52.000 vetëm në Shtetet e Bashkuara.