Bota Trump dëshiron Groenlandën dhe Kanalin e Panamasë: Cilat janë prapaskenat dhe objektivat...

Trump dëshiron Groenlandën dhe Kanalin e Panamasë: Cilat janë prapaskenat dhe objektivat reale

Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara e tha sërish propozimin për blerjen e Groenlandës, të paraqitur tashmë në vitin 2019, dhe kërcënoi Panamanë: “Premtime” elektorale? Jo. Ja për çfarë bëhet fjalë

Donald Trump dëshiron Groenlandën dhe do të donte të rimerrte Kanalin e Panamasë. Duken si deklarata të zakonshme për të tërhequr vëmendjen gjatë fushatës zgjedhore. Por fushata mbaroi dhe ai fitoi zgjedhjet. Pra, për t’i kuptuar, duhet të kalojmë në regjistrin e dytë të mentalitetit Trumpian: Atë të politikës së jashtme si marrëveshje.

Rasti i Panamasë

Rasti i Panamasë është mjaft i qartë: Trump akuzon panamezët se aplikojnë tarifa shumë të larta për anijet amerikane që kalojnë tranzit përmes kanalit dhe kërcënon të kërkojë kthimin e kësaj infrastrukture gjigante nën kontrollin e SHBA-ve nëse qeveria e Amerikës Qendrore nuk i pranon kërkesat e tij.

Ligjërisht, nuk është e qartë se si mund të bëhet. Kanali, në të kaluarën i qeverisur efektivisht “në bashkëpronësi” nga Shtetet e Bashkuara, ra nën kontrollin total të Panamasë me një traktat të nënshkruar në 1970 nga të dy shtetet.

Por Amerika është e madhe dhe e fuqishme dhe nëse ai arriti që në mandatin e tij të parë të detyronte Meksikën dhe Kanadanë të anulonin NAFTA-n, një marrëveshje e tregtisë së lirë që ai e konsideronte të pafavorshme për SHBA-të, duke e zëvendësuar atë me një marrëveshje që penalizon shumë më tepër  fqinjët, pse të mos provojë të përdorë njëfarë arrogance me shtetin e vogël panamez?

Për më tepër Panamaja është politikisht e dobët dhe ekonomikisht shumë e varur nga SHBA-të.

Blerja e Groenland-ës

Edhe në rastin e Groenlandës, shpërthimi i Trump është më pak i improvizuar sesa mund të duket. Kur emëroi ambasadorin e ri në Danimarkë, ai tha se do të dëshironte të blinte ishullin gjigant të Veriut të Madh që i përket këtij shteti të vogël dhe të largët evropian.

Asgjë e re: Trump kishte bërë të njëjtën kërkesë gjatë mandatit të tij të parë dhe, i përballur me mohimin danez (“ishulli nuk është në shitje”), ai anuloi vizitën e tij presidenciale në Kopenhagë.

Dhe nuk është një histori që fillon me Trump.

Që nga viti 1867, Shtetet e Bashkuara janë përpjekur disa herë të blejnë Groenland-ën, ishullin më të madh në botë që nuk është kontinent. Një territor që gjeografikisht është pjesë e Amerikës së Veriut, por popullsia e tij e vogël (56 mijë banorë) ka lidhje historike me Europën.

Ishulli ka autonomi të gjerë qeverisjeje, por varet nga burimet financiare të Danimarkës dhe, mbi të gjitha, të Bashkimit Europian, për mbijetesën e tij dhe investimet në infrastrukturë.

Nuk duhet shumë për të kuptuar interesin e Trump. Përveç vendndodhjes së saj gjeostrategjike në Arktik, përballë Siberisë ruse, Groenland-a është e pasur me ar, argjend, bakër dhe uranium dhe platforma e saj në det të hapur besohet se fsheh burime gjigante nafte.

Burime që deri më tani janë shfrytëzuar shumë pak për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe shqetësimeve mjedisore, duke qenë se rritja e temperaturave po sjell tashmë pasoja katastrofike në zonat e Arktikut, por siç dihet, Donald Trump nuk ka ndonjë interes për efektet e ngrohjes globale.

Dhe mos e bezdisni nëse oqeanet më pas gllabërojnë brigjet dhe ndryshimet klimatike shqetësojnë planetin.

Duke folur për Groenlandën dhe gjithashtu për Panamanë, duhet mbajtur parasysh edhe një faktor tjetër: Kina (gjithashtu një shkatërrues i madh i klimës për shkak të zhvillimit të saj të vrullshëm industrial).

Me ambiciet e tij planetare, Pekini, i cili po investon masivisht në Amerikën Latine dhe Afrikë dhe gjithashtu ka ngritur disa ura në Evropë, është përpjekur për disa kohë të shikojë edhe Arktikun: Për burimet e tij minerale dhe sepse, me shpërbërjen e akullit, bëhet një rrugë e re tregtare.

Kina tashmë është përpjekur të futet në lojën e Groenland-ës duke ofruar plane investimi në ishull. Për më tepër, duke qenë “fabrika e botës” me anije që transportojnë eksportet e tij kudo në planet, ka të ngjarë që gjigandi aziatik, gjithnjë e më i pranishëm edhe në pjesën qendrore të Amerikës, të përpiqet të ushtrojë ndikimin e tij edhe në Panama.