Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të debatojë me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, por me kushtin që ai të testohet për përdorimin e drogave.
“Dua të debatoj me të. Por do të kërkoj testin e drogës. Nuk dua që të dalë aty siç doli te State of the Union (fjalimi vjetor para Kongresit) ku ishte i droguar”, tha Trump gjatë një takimi në Mineapolis.
Ai kritikoi edhe moderatorin e CNN, Jake Tapper, i cili parashikohet të drejtojë debatin, por tha se do t’ia dilte mbanë kundër tij dhe se priste që ai të tregohej i drejtë.
Debati i parë mes Trump e Biden do të zhvillohet më 27 qershor në CNN, në studiot qendrore të televizionit në Atlanta, Xheorxhia. Debati i dytë do të zhvillohet më 10 shtator në televizionin tjetër amerikan, ABC.
Debatet e zhvilluara mes tyre në vitin 2020 kaluan në kaos ku të dy kandidatët i bërtisnin njëri-tjetrit. Zgjedhjet presidenciale të këtij viti do të mbahen më 5 nëntor.
Biden kërkon një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Trump kërkon të rikthehet pasi humbi katër vite më parë.