Presidenti amerikan Donald Trump beson se Izraeli nuk ka pasur kurrë një mik më të mirë se ai në Shtëpinë e Bardhë, sepse, siç tha, ndryshe nga paraardhësit, ai “i mbajti premtimet e tij”.
Trump e bëri këtë deklaratë në Samitin Kombëtar të Këshillit izraelito-amerikan në Florida, duke folur për qëndrimin e tij ndaj asaj që ka rëndësi për hebrenjtë, përfshirë edhe përmbushjen e premtimit të tij për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe për të zhvendosur Ambasadën e SHBA atje nga Tel Avivi.
Palestinezët synojnë ta shpallin Jeruzalemin Lindor, të fituar në luftën e vitit 1967 dhe më vonë të aneksuar nga Izraeli, si kryeqyteti i tyre, ndërsa udhëheqësit izraelitë thonë se Jeruzalemi i bashkuar do të mbetet kryeqyteti i përjetshëm i Izraelit.
Udhëheqësi amerikan kujtoi se paraardhësit e tij kishin premtuar lëvizjen e ambasadës, por këto ishin vetëm premtime boshe.
“Ata kurrë nuk kanë pasur ndonjë qëllim ta bëjnë këtë, sipas mendimit tim. Por ndryshe nga presidentët e tjerë, unë i mbaja premtimet e mia”, tha Trump.
Zhvendosja e ambasadës është një nga temat e zakonshme kur një udhëheqës amerikan i drejtohet një audiencë jo-hebreje.
Trump gjithashtu vuri në dukje vendimin për të ndryshuar politikën e SHBA-së në Lindjen e Mesme këtë vit duke njohur sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshinën strategjike Golan në kufirin sirian.
Presidenti amerikan, megjithatë, nuk e përmendi kryeministrin e izraelit Benjamin Netanyahu, i cili dikur ishte një temë e rregullt e fjalimeve të tij në tubimet izraelite.
Vëzhguesit thonë se marrëdhënia dikur e ngushtë midis Trump dhe Netanyahu është ftohur pasi ky i fundit u përball me probleme ligjore dhe nuk është në gjendje të krijojë një koalicion qeverisës pas dy raundeve të zgjedhjeve parlamentare në Izrael.
Këshilli izraelito-amerikan është mbështetur financiarisht nga një prej mbështetësve më të mëdhenj të Trump, çifti Miriam dhe Sheldon Adelson, ky i fundit një manjat i Las Vegas.