“Të gjithë thanë se nuk mund të arrihej. Por, për herë të parë në një gjeneratë do të këtë fluturime direkte ajrore në mes të Serbisë dhe Kosovës”. Kështu e ka nisur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump reagimin e tij për marrëveshjesn më të re mes Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja për rinisjen e fluturimeve Prishtinë-Beograd u arrit falë ndërmjetësimit të të dërguarit të posaçëm të SHBA për Kosovën, Richard Grenell, si dhe Këshilltarit të Trump për Sigurinë Kombëtare Robert O’Brien.
Kjo është arritja e parë e presidentit amerikan në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, për vazhdimësinë e të cilit ka emëruar dy përfaqësues special, Grenell dhe Palmer.
“Një tjetër fitore. Faleminderit O’Brien dhe ambasadorit Grenell!”, ka shkruar Trump në Twitter.
Këshilltari Robert O’Brien tha se marrëveshja e nënshkruar në Berlin mes përfaqësuesve të të dyja vendeve paraqet një arritje historike, duke i cilësuar fluturimet direkte si jetike për ekonomitë moderne.
O’Brien tha se mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur fluturime prej 21 vitesh dhe se pa këtë marrëveshje, për të udhëtuar nga Prishtina në Beograd nevojiten mbi pesë orë përmes transportit tokësor.
Marrëveshja Kosovë-Serbi u nënshkrua nga ministri serb i ekonomisë, Milun Trivulac, dhe drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Berlin, në prani të ambasadorit Richard Grenell.
Fluturimet 25-minutëshe mes Prishtinës dhe Beogradit do të realizohen nga kompania “Eurowings”, e cila është pjesë e kompanisë “Lufthansa”. Michael Knitter, shef operacional i kompanisë, tha se fluturimet do të fillojnë pasi të dyja vendet të largojnë pengesat që ekzistojnë në rregulloret për aviacionin civil.
Ndërkohë edhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur hap gjigant nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e fluturimeve komerciale.