Siç kishte paralajmëruar, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi sanksionet e reja kundër Turqisë, si ndëshkim për operacionin kundër kurdëve në veri të Sirisë. Sanksionet parashikojnë rritje me 50% të tarifave të importit të çelikut nga Turqia dhe pezullimin e bisedimeve të disa marrëveshjeve tregtare me vlerë 100 miliardë dollarë.
Më herët, zv/presidenti amerikan kërkoi armëpushim të menjëhershëm në mes Turqisë dhe militantëve në veri të Sirisë, ndërsa u shpreh se do të vizitonte shumë shpejt rajonin.
“Shtetet e Bashkuara nuk e dhanë dritën jeshile për ndërhyrjen turke në Siri. Presidenti Trump e bëri të qartë që SHBA do të marrë masa kundër ekonomisë turke deri kur dhunës t’i jepet fund. Duam një armëpushim të menjëhershëm dhe bisedime mes Turqisë dhe forcave të mbrojtjes siriane”.
“Le t’ju mbrojë Napoleon Bonaparti”
Presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi që kurdët e Sirisë të kthenin kokën pas tek ish-perandori francez i shekullit XIX, Napoleon Bonaparti, e të mos kërkonin mbrojtje nga SHBA-të.
“Kushdo që dëshiron të ndihmojë Sirinë në mbrojtjen e kurdëve është mirë me mua, pavarësisht a bëhet fjalë për Rusinë, Kinën ose Napoleon Bonapartin. Shpresoj që ata të gjithë t’ia dalin, ne jemi 7,000 milje larg!”, ka shkruar Trump në Twitter.
Ai mbrojti urdhrin e tij për tu tërhequr nga verilindja e Sirisë, duke thënë se misioni amerikan për të mposhtur ISIS-in në rajon ishte arritur “100 përqind”.
Presidenti shtoi që kreu i regjimit sirian, Bashar al-Asad, duhet të mbrojë rajonin.
“Le t’i mbrojnë kurdët Asadi dhe vendi i tyre, le ta luftojnë ata vet Turqinë. Unë u thashë gjeneralëve të mi, pse duhet të luftojmë për Sirinë dhe Asadin?”, ka shkruar Trump.
Akuza e Perëndimit
Perëndimi akuzon Ankaranë se po kryen spastrime etnike në Siri. Militantët kurdë, Uashingtoni i ka pasur aleatë në luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik. Por presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ngul këmbë se operacioni “Burimi i Paqes” do të vijojë deri kur veriu i Sirisë të jetë pastruar nga terroristët e Shtetit Islamik dhe ata kurdë.