Pas xhamit antiplumb, i vendosur si masë për të shmangur një atentat siç ndodhi në Pensilvani, Donald Trump nisi të ashpërsojë tonet e fushatës së tij presidenciale në të parin takim publik në natyrë që pas tentativës së dështuar për ta vrarë që u regjistruar muajin e kaluar.
Ish-Presidenti shpërtheu me deklarata të forta kundër rivales Kamala Harris në tubimin e mbajtur në Karolinën e Veriut, të cilësuar si një nga shtetet kyçe në garën Presidenciale.
Ai e akuzoi zv/presidenten demokrate se i përket “të majtës radikale”, duke parashikuar se amerikanët do të humbasin miliona vende pune menjëherë pas fitores së saj.
“Kursimet tuaja të jetës do të zhduken”, i tha turmës 78-vjeçari, duke vijuar më pas me të gjitha fatkeqësitë e tjera që ai beson se fitorja Harris do të sillte, përfshirë këtu edhe fundin e botës.
“Në të gjithë botën, kundërshtarët tanë e dinin se nuk mund ta merrnin Amerikën si të mirëqenë kur unë isha kreu i forcave të armatosura. Por nëse Kamala fiton në nëntor, është praktikisht e sigurt se Lufta e Tretë Botërore do të ndodhë”, deklaroi Trump.
Republikani iu përgjigj dhe talljeve që çifti Obama i bëri në fjalimet e mbajtura në Konventën Kombëtare Demokrate.
“E patë Barack Hussein Obamën duke më sulmuar? Ai po tallej me presidentin tuaj. Gjithashtu edhe Michelle. Ata gjithmonë thonë: ‘të lutem zotëri respekto rregullat, mos kaloni në personale’. Ata e patën personale gjithë kohës. Po ju pyes ju tani: a të kaloj dhe unë në personale? Nuk e di, këshilltarët i kam pushuar. Por më mirë të respektoj rregullat edhe pse ndonjëherë është shumë e vështirë kur sulmohesh nga të gjitha anët. Ata duan të më fusin në burg për asgjë.”
Donald Trump u shfaq në publik duke përqafuar mbështetësit e tij, pavarësisht shtimit të sigurisë. Më 15 gusht, “Washington Post” raportoi se shërbimi sekret amerikan miratoi një plan të ri që republikani të vazhdonte me tubimet në ambiente të hapura.