Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka shkruar një letër presidentit Hashim Thaçi për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Pasi në mediat e Beogradit u raportua se Trump i ka shkruar kreut të shtetit serb, Aleksandër Vuçiçit, një letër nga shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka shkuar edhe Presidentit Hashim Thaçi.
Trump ka përgëzuar mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë. Ndër të tjera, Trump në letër ka shkruar se SHBA mban partnerë vetëm ata që janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda.
Porosia e Trump është që Kosova dhe Serbia të normalizojnë marrëdhëniet.
Letra e Presidentit të SHBA-së, publikuar nga Zyra e Presidentit Thaçi:
I nderuari Z. President:
Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë së shtetit tuaj.
Marrëdhëniet tona të fuqishme bilaterale janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor stabil, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare.
Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është esenciale për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse.
Shtetet e Bashkuara i mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës.
Sinqerisht,
Donald J.Trump
Lexo edhe:
Trump i shkruan Vuçiçit: Njihni shtetin e Kosovës dhe punoni për marrëveshjen