Beteja zgjedhore për të marrë votën e komuniteteve të ndryshme që përbëjnë elektoratin heterogjen të Shteteve të Bashkuara ka arritur tashmë fazën e saj kulmore, kur mungon pak më shumë se një muaj nga data që do të ndryshojë politikën amerikane dhe jo vetëm për 4 vitet në vijim.
Komuniteti afro-amerikan historikisht voton në pjesën e saj më të madhe për demokratët, dhe preferenca e tyre mund të jetë vendimtare në disa nga të ashtuquajturit “Swings states”, shtetet ku ekuilibri midis republikanëve dhe demokratëve është i fortë.
Donald Trump po mendon se mund të ketë një shans edhe në këtë elektorat, dhe për këtë arsye ka përgatitur një plan enkas për këtë komunitet, i quajtur “Platinum”.
Sipas këtij plani, presidenti premton për 4 vitet e ardhshme rreth 3 milionë vende pune për këtë komunitet, si dhe krijimin e 500 mijë bizneseve të zotëruara nga afro-amerikanë.
Duke dashur të distancohet nga mbështetja shpesh herë publike ndaj tij të organizatave suprematiste dhe raciste, Trump mendon të deklarojë “Ku Klux Klanin” si organizatë terroriste, edhe pse në listë do të shtohet edhe lëvizja antifashiste “Antifa”, përgjegjëse e disa prej manifestimeve të dhunshme pas vdekjes së George Floyd.
Sipas planit, administrata Trump do të financojë universitetet e frekuentuara nga komuniteti, si dhe kurse trajnimi për të siguruar vende pune më të kualifikuara, dhe një akses në kapital që tejkalon 500 miliardë dollarët. Edhe karta e emigracionit luhet nga administrata Trump në funksion të këtij komuniteti, rreth 41 milionë persona, duke përhapur frikën që vala e emigrant\ve mund të rrezikojë tregun e punës dhe sigurinë e tyre.
“Për dekada, demokratët kanë marrë të mirëqenë votën e personave me ngjyrë. Bëjnë premtime para zgjedhjeve, që braktisin sapo arrijnë në Uashington”, deklaroi presidenti.