Bota Trump kërcënon me privimin e Kalifornisë nga ndihmat federale

Trump kërcënon me privimin e Kalifornisë nga ndihmat federale

Presidenti amerikan, Donald Trump ka përsëritur kërcënimin për të privuar Kaliforninë nga ndihmat federale të destinuara për luftën kundër zjarreve pas kritikave të bëra nga guvernatori demokrat i këtij shteti kundër politikës së tij mjedisore.

Këto dy javët e fundit, disa zjarre kanë shkatërruar rreth 40 000 hektarë tokë në këtë shtet në perëndim të SHBA-së, ku zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë kundër “Maria fire”, 100 kilometra në veriperëndim të Los Anxhelesit.

Duke përsëritur sulmet, tashmë të formuluara edhe vitin e kaluar kur zjarret shkatërruan pjesën veriore të shtetit duke shkaktuar të paktën 86 të vdekur, Donald Trump kritikoi guvernatorin, Gavin Newsom se ka bërë një punë të tmerrshme në kuadër të menaxhimit të pyjeve.

“I kam thënë që prej takimit tonë të parë se duhet të pastronte pyjet, pak rëndësi ka se çfarë i kërkojnë ekologjistët”, theksoi Trump në një mesazh në Twitter.

“Çdo vit, është e dukshme (…) ai do t’i kërkojë dollarë qeverisë federale. Kjo ka marrë fund. Le t’i marrë vetë gjërat në dorë”, shtoi ai duke përsëritur kërcënimin tashmë të bërë edhe vitin e kaluar por që nuk e ka aplikuar kurrë.

“Ju nuk besoni tek ngrohja klimatike, ju nuk keni asnjë vend në këtë bisedë”, iu përgjigj ai në Twitter të zgjedhurit kalifornian.

Një ditë më parë, Newsom kishte kritikuar presidentin në një intervistë për “New York Times” se kishte ndërmarrë një sulm kundër antidotit të zjarreve duke refuzuar politikat e luftës kundër ngrohjes klimatike të vendosura në shtetin e tij.