Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar të “shkatërrojë” ekonominë turke, nëse vendi aleat i amerikanëve në NATO sulmon kurdët në rajon.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se pavarësisht nisjes së tërheqjes së forcave amerikane nga Siria, SHBA-të do të sulmonin sërish ISIS-in nëse vërejnë përpjekje për reformim në terren.
Ai po ashtu kërcënoi të “shkatërrojë Turqinë ekonomikisht nëse ata sulmojnë kurdët”, teksa në krahun tjetër paralajmëroi edhe kurdët “të mos provokojnë Turqinë”.
E menjëhershme ka qenë kundërpërgjigja e Ankarasë zyrtare, e cila me anë të zëdhënësit të Presidentit Erdogan, Ibrahim Kalin, paralajmëroi Trumpin të mos vendosë shenjë barazimi mes kurdëve të Sirisë dhe organizatave terroriste.
“Është një gabim fatal të barazosh kurdët e Sirisë me PKK, e cila është në listën e organizatave terroriste të SHBA-ve, dhe krahun e saj në Siri, PYD/YPG.”
“Turqia lufton kundër terroristëve, jo kundër kurdëve”, tha Kalin duke shtuar “zoti Donald Trump, terroristët nuk mund të jenë partnerët dhe aleatët tuaj. Turqia pret që SHBA-të të nderojnë partneritetin tonë strategjik dhe nuk dëshirojnë që ajo të lihet në hije nga propaganda terroriste.”
Tensioni mes Ankarasë dhe Uashingtonit u rrit javën e kaluar pas një periudhe “paqeje” që pasoi lirimin e një pastori amerikan të arrestuar më shumë se 2 vite më parë nga Turqia.
Erdogan refuzoi të takonte këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Trumpit, John Bolton, pas deklaratave të këtij të fundit nga Izraeli , ku kërkoi që Turqia të zotohej se nuk do të sulmonte luftëtarët kurdë në Siri.
“Bolton bëri një gabim të madh. Nëse mendon kështu, ai po bën gabim. Ne nuk do të bëjmë kompromise”, tha Erdogan, duke mos e pritur Bolton në takim, pavarësisht se zyrtari amerikan vizitoi Ankaranë.